Forcimi i Bashkëpunimit Gjyqësor Ndërkombëtar – Vizita në Bari

Bari 2

Forcimi i Bashkëpunimit Gjyqësor Ndërkombëtar – Vizita në Bari

Lufta kundër krimit transnacional është një nga sfidat kryesore të autoriteteve gjyqësore Shqiptare. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet autoriteteve gjyqësore të Shteteve të ndryshme gjate kryerjes së hetimeve dhe zhvillimit të procedimeve penale, është hapi i parë efikas në luftën kundër krimit transnacional. Në këtë aspekt, dhe në përputhje me Planin e Punës të Projektit PAMECA V, në veçanti me aktivitetin 1.1.17 i cili parashikon “Vizitë studimore e prokurorëve tek homologët e tyre në Itali mbi SPH”, PAMECA asistoi në organizimin e një vizite dy ditore, me datë 24 dhe 25 tetor 2019, që u zhvillua në Bari të Italisë.

Në këtë vizitë mori pjesë Drejtuesja e Prokurorisë për Krimet e Rënda, znj. Donika Prela, dhe z. Vladimir Mara, Prokuror pranë kësaj Prokurorie, të cilët prezantuan disa marrëveshje të ngritjes së Skuadrave të Përbashkëta Hetimore gjatë viteve 2016 – 2018. Këto Skuadra shërbyen si një shembull i mirë dhe kontribuan në rezultate të suksesshme të hetimeve, në sajë të hetimeve të përbashkëta të kryera në të dy vendet, kryesisht në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Autoritetet shqiptare zhvilluan takime të dobishme me Drejtuesin e Prokurorisë së Barit, z. Giuseppe Volpe, i cili nga ana e tij vlerësoi angazhimin dhe punën e bërë nga autoritetet Shqiptare në ngritjen e Skuadrave të Përbashkëta Hetimore dhe i inkurajoi ato në aplikimin e mëtejshëm të këtij mekanizmi efikas në luftën kundër krimit transnacional.

Z. Carmine Pirozzoli, Prokuror/Zëvëndës Drejtues i Projektit PAMECA theksoi rëndësinë e takimeve të tilla të cilat kryesisht shërbejnë për të diskutuar mbi aspekte të ndryshme, problematika ligjore apo teknike me të cilat SPH përballen gjatë kryerjes së hetimeve. Ai gjithashtu përmendi faktin që asnjë vend tjetër, përveç Italisë, nuk ka nënshkruar marrëveshje për ngritjen e SPH, si dhe propozoi faktin që autotitetet Shqiptare duhet të përfitojnë nga kjo eksperiencë e suksesshme dhe të propozojnë modelin e marrëveshjes së SPH tek vendet anëtare të Eurojust. z. Pirozzoli informoi dhe inkurajoi autoritetet Shqiptare që të përdorin gjerësisht projektet e tjera të BE-së, ekspertizën dhe asistencën financiare që ato ofrojnë në fushën e Bashkëpunimit Gjyqësor Ndërkombëtar.

Autoritetet Shqiptare patën takime intensive me Prokurorë të tjerë pranë Prokurorisë së Barit dhe përfaqësues të Drejtorisë Rajonale Anti-Mafia në Bari, me të cilët diskutuan mbi çështje dhe problematika konkrete të Skuadrave të Përbashkëta Hetimore.

Aspektet procedurale, përdorimi i provave të mbledhurave të kuadër të hetimeve të kryera nga SPH, si dhe kuadri ligjor dhe praktikat më të mira të tyre, u trajtuan gjerësisht gjatë takimeve, respektivisht nga znj. Ms Antonietta Picardi, Gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, dhe z. Stefano Opilio, Drejtor i Zyrës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar pranë Ministrisë së Drejtësisë Italiane.

 

/ @sq