Trajnim online mbi hetimet e pavarura dhe teknikat e hetimit
40 gjyqtarë dhe prokurorë ndoqën trajnimin online të moderuar nga Profesor Henrik Ligori i Shkollës së Magjistraturës dhe të organizuar nga PAMECA V në bashkëpunim me Projektin italian HJC-AICS Project dhe Euralius, në 22 tetor 2020.
Disa nga temat më të rëndësishme të prezantimit të prokurorit Italian Carmine Pirozzoli ishin hetimet proaktive, bashkëpunimi ndërkombëtar gjatë hetimit të krimeve transnacionale, avantazhet e përdorimit të skuadrave të përbashkëta hetimore, kompetenca dhe funksioni I tyre në territorin e çdo shteti pjesëmarrës. Me të pranishmit u nda gjithashtu një model marrëveshjeje për ngritjen e një skuadre të përbashkët hetimore.
Prezantimi i Prokurores Daniela Sulaj u përqendrua në rolin e gjykatave dhe prokurorive në zbatimin e risive të ligjit anti-mafia, procedurës për zbatimin e masave parandaluese, gjykatën kompetente, afatet e hetimeve pasurore, procedurat e sekuestrimit dhe konfiskimit.
Prokurori Italian Giovanni Conzo shpjegoi përvojën italiane për hetimet mbi pasurinë dhe pastrimin e parave: teknikat hetimore, instrumentet rregullatore dhe bashkëpunimin gjyqësor në lidhje me sekuestrimin dhe konfiskimin.
Ky trajnim shërbeu për të shkëmbyer përvojën vendase dhe atë ndërkombëtare për ofrimin e hetimeve efikase dhe të pavarura, duke përdorur teknika të reja hetimi si edhe instrumentet dhe metodologji konkrete për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar.