Trajnim online për gjykimin me marrëveshje
Në kuadër të asistencës për zbatimin e legjislaciont të ri në reformën gjyqësore, veçanërisht në në zbatim të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, PAMECA V, në bashkëpunim të ngushtë me EURALIUS V dhe HJC – Projektin AICS, organizuan një trajnim për gjykimin me marrëveshje.
Trajnimi u ndoq nga 20 gjyqtarë dhe prokurorë të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të Prokurorisë së Posaçme, të cilët diskutuan gjerësisht mbi problematikën e zbatimit të gjykimit me marrëveshje dhe praktikën gjyqësore. Përmbajtja e marrëveshjes, rregullat dhe kriteret e përgatitjes së saj, miratimi apo kundërshtimi, si dhe roli i viktimës në këtë lloj gjykimi të posaçëm, ishin disa nga aspektet e trajtuara nga panelistët shqiptarë.
Gjyqtari italian Filippo Aragona bëri një prezantim të sistemit italian mbi gjykimin me marrëveshje dhe paraqiti avantazhet dhe disavantazhet e këtij lloj gjykimi të posaçëm. Të drejtat themelore të të pandehurit gjatë gjykimit me marrëveshje u trajtuan nga gjyqtari italian si një element thelbësor gjatë gjykimit. Një krahasim ndërmjet sistemit shqiptar dhe atij italian për gjykimin me marrëveshje shërbeu për të venë në dukje ngjashmëritë dhe ndryshimet, por mbi të gjitha për të theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë ligjor përkundrejt gjykimit me marrëveshje. Kompetencat e shumta të prokurorëve në sistemin e drejtësisë penale duhen balancuar nga një rol aktiv i gjykatave, veçanërisht në këtë lloj gjykimi të posaçëm.
Gjyqtarja kroate Koraljka Bumči prezantoi kuadrin ligjor të gjykimit me marrëveshje, kryesisht duke u fokusuar në ndryshimet dhe ngjashmëritë ndërmjet vendeve të ndryshme anëtare dhe jo anëtare të BE-së, përfshirë dhe veçantitë e sistemit kroat. Gjykimi me marrëveshje, parë në këndvështrimin e praktikës gjyqësore të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (neni 6), veçanërisht fokusuar në parimin e ligjshmërisë dhe rolin e viktimës, u trajtuan gjerësisht nga gjyqtarja kroate.
Ky trajnim shërbeu që pjesëmarrësit jo vetëm të shkëmbenin pikëpamjet dhe eksperiencën e tyre në zbatimin e gjykimit më marrëveshje, por njëkohësisht gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë konstatuan probematikat e tyre me të cilat ndeshen në përditshmërinë e tyre.