Takim midis Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Europol – facilituar nga PAMECA V
PAMECA V facilitoi organizimin e një Konference të Përbashkët ndërmjet EUROPOL dhe Drejtorit të BKH, Znj. Aida Hajnaj të mbajtur në 29 Tetor 2020 ku morën pjesë Z. Jari Liukku, Shefi i ESOCC, Z. Roberto Garbini, Specialist i Projekteve Analitike (AP Copper) dhe Drejtues të përfaqësive të vendeve të BE dhe Palëve të Treta pjesë e AP Copper.
Kjo video Konferencë shërbeu për të diskutuar në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm midis dy organizatave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat nuk mund të shihen si dy fenomene të pavarura, siç u tha nga pjesëmarrësit.
Z. Liukku theksoi se është e rëndësishme të sigurohet një bashkëpunim aktiv, ndërsa ai ftoi Drejtorin e BKH të konsideronte Europol-in si një burim informacioni në lidhje me vendet anëtare të BE.
Znj. Hajnaj vlerësoi fjalët e Z. Liukku dhe theksoi se karakteri ndërkombëtar i krimit në ditët e sotme kërkon bashkëpunim dhe angazhim midis partnerëve. Ajo përmendi që operacionet e ndërsjella dhe ekipet e përbashkëta të hetimit, si dhe shkëmbimi i informacionit mund të jenë thelbësore në luftën kundër krimit të organizuar.
Drejtori i BKH gjithashtu bëri një prezantim për përfaqësuesit e EUROPOL dhe për përfaqësitë e vendeve të BE dhe Palëve të Treta pjesë e AP Copper mbi rolin, fushat e kompetencës dhe kuadrin ligjore të BKH, në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionin dhe pritshmëritë në të ardhmen, si dhe i’u përgjigj disa pyetjeve. Z. Roberto Garbini, Specialist i AP Copper, prezantoi Znj. Hajnaj me Projektet Analitike AP Copper të EUROPOL, strukturën e tij, aktivitetet kryesore që kryhen etj.
Në fund të takimit u ra dakord se krimi i organizuar nuk mund të luftohet vetëm! Shkëmbimi aktiv i informacionit, analizave dhe inteligjencës dhe elementeve të tjerë që lidhen me grupet e krimit të organizuar, si dhe angazhimi i ndërsjellë janë të nevojshme për ta luftuar atë!
Palët siguruan njëra-tjetrën për angazhimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar, duke u dakortësuar që të diskutohet në një takim të ardhshëm mbi komunikimin përmes sistemit SIENA.