Trajnim me teme mbi pastrimin e parave
PAMECA V në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare dhe Projektin e Asistencës Teknike të Këshillit të Lartë Gjyqësor Italian zhvilluan një trajnim dy-ditor online mbi pastrimin e parave dhe hetimet financiare. Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është përafrimi i qasjeve institucionale dhe praktikave të punës, në kuadër të Memorandumeve të Mirëkuptimit të nënshkruara mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Agjencive Ligjzbatuese të tjera në rritjen e efikasitetit të hetimit të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Seminari u bashkë-prezantua nga Eksperti Afatgjatë i PAMECA V për Krimin e Organizuar, Z. Giovanni Pasqua dhe Prokurori i pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Z. Kujtim Luli. Gjatë fjalës së tij të hapjes, Z. Pasqua nënvizoi iniciativën e PP dhe rëndësinë për të kryer trajnime mbi pastrimin e parave dhe hetimet financiare, sipas përparësive kryesore të PP për vitet e ardhshme, ndërsa Z. Luli shpjegoi qëllimin dhe implikimet pozitive që zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mund të ketë për Shqipërinë dhe mundësinë për t’iu përgjigjur rekomandimeve të FATF, botuar shkurtin e kaluar.
Z. Michele del Prete, Prokurori i Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizmit (DNAT) paraqiti perspektivën ndërkombëtare të kësaj mbi këtë teme, dhe më pas prezantoi format, metodat, llojet dhe standardet e BE-së mbi pastrimin e parave dhe hetimet financiare. Rëndësia dhe roli i institucioneve financiare në të gjithë vendin, kryerja e analizës së riskut dhe gjurmimi i hetimeve financiare u thellua më tej nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në Shqipëri, Z. Artan Sheqerukaj, gjatë ditës së parë të trajnimit. Ekspertët që mbajtën prezantimet e tyre gjatë këtij trajnimi ngritën disa çështje praktike në lidhje me kryerjen e hetimeve financiare efikase dhe të suksesshme.
Gjatë prezantimit të tij, Z. Antonio Balsamo, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Kasacionit, u përqëndrua në metodologjinë për hetimin e veprave penale në lidhje me pastrimin e parave, përdorimin e mjeteve speciale të hetimit dhe praktikat më të mira të BE-së. Financimi i terrorizmit në të drejtën ndërkombëtare dhe kornizën ligjore shqiptare, format dhe metodat e hetimit u prezantuan nga Z. Nicola Piacente, Anëtarë i Komisionit të Këshillit të Evropës për Luftën kundër Terrorizmit (CDCT) dhe Kryeprokuror i Komos.
Trajnimi u ndoq nga 60 përfaqësues të Prokurorisë, Policisë së Shtetit, SHÇBA dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, të tilla si ILDKPKI, DPPPP, Zyra e Taksave dhe Doganave, etj. Trajnimi shërbeu për të shkëmbyer pikëpamje dhe përvojë praktike mbi problemet që hasen gjatë kryerjes së hetimeve financiare dhe veprave penale të pastrimit të parave dhe u pasua nga një diskutim teknik shumë profesional dhe ndërveprues. Duke pasur parasysh interesin e treguar për këtë trajnim, ai do të përsëritet gjatë janarit 2021 me pjesëmarrjen e një grupi tjetër me fokus mbi këto tema.