Trajnim online dy-ditor mbi veprat penale lidhur me detyrën

foto 7

Trajnim online dy-ditor mbi veprat penale lidhur me detyrën

PAMECA V në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Projektin e Asistencës Teknike të Këshillit të Lartë Italian të Drejtësisë, zhvilloi një trajnim online dy-ditor mbi veprat penale lidhur me detyrën. Duke patur parasysh rëndësinë e kësaj kategorie veprash penale, Prokuroria e Përgjithshme ka nëshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me Kontrollin e Lartë të Shtetit.  Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është rritja e efikasitetit dhe bashkëpunimit ndër-institucional në luftë kundër veprave penale  në fushën e krimit ekonomik dhe keqpërdorimit të fondeve publike.  Në këtë kuadër, PAMECA V ka ndihmuar Prokurorinë e Përgjithshme për përgatitjen e një programi trajnimi dhe zhvillimin e një  trajnimi të dedikuar për forcimin e kapaciteteve të punonjësve të prokurorisë dhe të agjencive të tjera, për hetimin e veprave lidhur me detyrën.

Trajnimi u moderua nga Eksperti afatgjatë i PAMECA V për krimin e organizuar, Z. Giovanni Pasqua dhe nga Prokurori I Prokurorisë së Përgjithshme Z. Kujtim Luli. Gjatë fjalës së hapjes, Z. Pasqua theksoi se rëndësia e kryerjes së trajnimeve në këtë fushë duhet të shtjellohet më tek nga Prokuroria dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese duke patur parasysh kompleksitetin e veprave që lidhen me detyrën.  Efektiviteti i nëpunësve civilë e rrit progresin e një vendi pasi janë nëpunësit publikë ata që e drejtojnë vendin, u japin drejtësi shtetasve dhe mbrojnë të drejtat e tyre.  Nga ana tjetër, Z. Luli shprehu angazhimin e fuqishëm të Prokurorisë së Përgjithshme që t’i japë më tepër burime kryerjes së veprimtarive trajnuese për hetimin e veprave penale që lidhen me detyrën.

Gjatë prezantimit të saj, Znj. Rita Caracuzzo, Prokurore Italiane aktualisht me detyrë në Minisrinë e Punëve të Jashtme, solli në vëmendjen e pjesëmarrësve korrupsionin dhe veprat e lidhura me detyrën, si veprat mëmë të pastrimit të parave, hetimet financiare dhe pasurore që kryhen për këto raste si edhe përdorimin e mjeteve speciale të hetimit për veprat që lidhen me neglizhencën dhe korrupsionin si edhe jurisprudencën e GjEDNj. U prezantuan raste praktike që u diskutuan me pjesëmarrësit.

Metodat e hetimit të veprave penale në fushën e deklarimit të aseteve, keqpërdorimit dhe administrimit të fondeve publike, prokurimit, administrimit dhe privatizimit të aseteve publike, që u prezantuan nga z. Andrea Venegoni, Gjyqtar në Gjykatën e Lartë Italiane ishin me mjaft interes për pjesëmarrësit, duke marrë parasysh faktin që këto vepra parashikohen gjithashtu edhe në kodin penal shqiptar.

Prokurori shqiptar Z. Armand Gurakuqi dha një tablo mjaft të qartë të rëndësisë dhe nevojës së agjencive ligjzbatuese shqiptare si DPPPP, PSH, DPT, DPD, ILDKPI etj për të shkëmbyer informacion mes tyre, si kusht për hetime efikase kundër zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike.  Prokurorja e SPAK, Znj. Enkeleda Millonai, theksoi rëndësinë e provave të tërthorta për procesin e të provuarit.

Z Filippo Romano, përfaqësues i Autoritetit Italian të Antikorrupsionit, foli për hetimet administrative të kryera nga autoritetet e pavarura dhe nevojën për të bashkëpunuar me prokurorë të tjerë, ndërsa Z. Paolo Costa, Shef i Programit Policor i DCAF, prezantoi praktikat më të mira dhe sfidat që lidhen me çështjet e policisë në Sektorin e Drejtësisë.

Trajnimi u ndoq nga 76 përfaqësues të Prokurorisë, Policisë së Shtetit, SHÇBA-së dhe agjencive të tjera ligjzbatuese të tilla si ILDKPI, PSH, DPT, DPD, KLSH etj. Pjesëmarrësit patën rastin që të shkëmbejnë mendime dhe përvojat praktike në lidhje me problemet e hasura gjatë hetimit dhe procedimit të veprave penale lidhur me detyrën.  Për shkak të interesit për këtë lloj trajnimi, ai do të përsëritet në janar 2021 me pjesëmarrjen e një grupi tjetër.

me shume foto …..

 

December 21, 2020 / @sq