Raundi i dytë i trajnimit online mbi pastrimin e parave

foto 1

Raundi i dytë i trajnimit online mbi pastrimin e parave

PAMECA V në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare dhe Projektin e Asistencës Teknike të Këshillit të Lartë Gjyqësor Italian zhvilluan raundin e dytë të trajnimit online mbi pastrimin e parave dhe hetimin financiar. Trajnimi u zhvillua me date 12 dhe 13 janar 2021 dhe u ndoq nga 68 përfaqësues të Prokurorisë, Policisë së Shtetit, SHÇBA dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, të tilla si ILDKPKI, DPPPP, Zyra e Taksave dhe Doganave. Ky trajnim u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave. Seminari u bashkë-prezantua nga Eksperti Afatgjatë i PAMECA V për Krimin e Organizuar, Z. Giovanni Pasqua dhe Prokurori pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Z. Kujtim Luli. Z. Pasqua shprehu angazhimin e mëtejshëm të Projektit PAMECA për të asistuar PP në ndërmarrjen e iniciativave të tilla që synojnë rritjen e efikasitetit të hetimeve financiare, ndërsa Z. Luli shpjegoi qëllimin dhe impaktin pozitiv të Marrëveshjes së Bashkëpunimt si dhe parashtroi për pjesëmarrësit një përmbledhje te Udhëzimit të Prokurorit të Përgjithshëm mbi masat administrative dhe procedurale në luftën kundër pastrimit të parave.

Z. Antonio Balsamo, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Kasacionit në Itali, u përqëndrua në këndvështrimin ndërkombëtar të pastrimit të parave, si dhe rolin thelbësor të institucioneve financiare. Prezantimi i qasjes metodologjike për hetimin e veprave penale në fushën e pastrimit të parave, përdorimi i mjeteve të posaçme hetimore, si dhe standartet dhe praktika e BE-së, ishin me shumë interes për pjesëmarrësit dhe gjeneruan një diskutim interaktiv dhe profesional ndërmjet tyre.

Analiza e riskut, gjurmimi dhe hetimi financiar, llojet e të dhënave financiare në dispozicion të hetimit, si dhe standartet më të mira të BE-së, u prezantuan nga përfaqësuesit e Guardia di Finanzia, specifikisht nga Kol. Antonio Mancazzo dhe Maj. Michele Brunetti, i cili prezantoi gjithashtu dhe kuadrin ligjor ndërkombëtar të financimit të terrorizimit, format dhe metodat e financimit të terrorizmit si dhe metodat hetimore. Nga ana tjetër, kuadri ligjor dhe institutional vendas u analizuan nga Z. Artan Shiqerukaj, përfaqësues i Njësisë së Hetimit Financiar në Shqipëri.

Një aspekt tjetër që u trajtua gjatë trajnimit lidhej me bashkëpunimin kombëtar, rajonal, ndërkombëtar dhe ndërinstitucional mbi pastrimin e parave, prezantuar nga Znj. Esmeralda Cami, Prokurore, dhe njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ky trajnim shërbeu për të shkëmbyer pikëpamje dhe përvojë praktike mbi problemet që hasen gjatë kryerjes së hetimeve financiare dhe veprave penale të pastrimit të parave.

me shume foto …..

 

January 14, 2021 / @sq