Raundin i dytë i trajnimit online mbi veprat penale që lidhen me ushtrimin e detyrës

foto 1

Raundin i dytë i trajnimit online mbi veprat penale që lidhen me ushtrimin e detyrës

PAMECA V në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare dhe Projektin e Asistencës Teknike të Këshillit të Lartë Gjyqësor Italian zhvilluan raundin e dytë të trajnimit online mbi veprat penale që lidhen me ushtrimin e detyrës. Trajnimi u zhvillua me date 14 dhe 15 janar 2021 dhe u ndoq nga 76 përfaqësues të Prokurorisë, Policisë së Shtetit, SHÇBA dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, të tilla si ILDKPKI, DPPPP, Zyra e Taksave dhe Doganave. Ky trajnim u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar nga Prokuroria e Përgjithshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Seminari u bashkë-prezantua nga Eksperti Afatgjatë i PAMECA V për Krimin e Organizuar, Z. Giovanni Pasqua dhe Prokurori pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Z. Kujtim Luli. Z. Pasqua shprehu angazhimin e mëtejshëm të Projektit PAMECA për të asistuar PP në ndërmarrjen e iniciativave të tilla që synojnë rritjen e efikasitetit të hetimeve të veprave penale të lidhura me detyrën, ndërsa Z. Luli parashtroi për pjesëmarrësit një përmbledhje të Marrëveshjes së Bashkëpunimt dhe të impaktit pozitiv që do të ketë në të ardhmen.

Gjatë prezantimit të saj, Znj. Rita Caracuzzo, Prokurore Italiane aktualisht me detyrë në Minisrinë e Punëve të Jashtme, solli në vëmendjen e pjesëmarrësve korrupsionin dhe veprat e lidhura me detyrën, si veprat mëmë të pastrimit të parave, hetimet financiare dhe pasurore që kryhen për këto raste si edhe përdorimin e mjeteve speciale të hetimit për veprat që lidhen me neglizhencën dhe korrupsionin si edhe jurisprudencën e GjEDNj. U prezantuan raste praktike që u diskutuan me pjesëmarrësit.

Metodat e hetimit të veprave penale në fushën e deklarimit të aseteve, keqpërdorimit dhe administrimit të fondeve publike, prokurimit, administrimit dhe privatizimit të aseteve publike, që u prezantuan nga z. Andrea Venegoni, Gjyqtar në Gjykatën e Lartë Italiane ishin me mjaft interes për pjesëmarrësit, duke marrë parasysh faktin që këto vepra parashikohen gjithashtu edhe në kodin penal shqiptar.

Prokurori shqiptar Z. Armand Gurakuqi dha një tablo mjaft të qartë të rëndësisë dhe nevojës së agjencive ligjzbatuese shqiptare si DPPPP, PSH, DPT, DPD, ILDKPI etj për të shkëmbyer informacion mes tyre, si kusht për hetime efikase kundër zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike. Znj. Esmeralda Cami, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, theksoi rëndësinë e provave të tërthorta për procesin e të provuarit.

Z Filippo Romano, përfaqësues i Autoritetit Italian të Antikorrupsionit, foli për hetimet administrative të kryera nga autoritetet e pavarura dhe nevojën për të bashkëpunuar me prokurorë të tjerë, ndërsa Z. Maurizio Mirarchi, përfaqësues i Policisë Italiane, prezantoi praktikat më të mira dhe sfidat që lidhen me çështjet e integritetit dhe të etikës në sektorin e Policisë dhe të Drejtësisë.

Trajnimi shërbeu që pjesëmarrësit të ndanin praktikat e tyre dhe problematikën me të cilën ato përballen gjatë hetimit të veprave penale që lidhen me detyrën.

me shume foto …..

 

January 19, 2021 / @sq