Trajnim Pilot për Administrimin e Prokurorisë dhe statistikat si një mjet strategjik për përmirësimin e performancës

pt1

Trajnim Pilot për Administrimin e Prokurorisë dhe statistikat si një mjet strategjik për përmirësimin e performancës

Statistikat luajnë një rol thelbësor në sistemin e drejtësisë penale. Ato japin instrumentet e duhura për kërkime në fushën e sistemit të drejtësisë penale, luajnë një rol të rëndësishëm në zbulimin e tendencave të kriminalitetit si edhe mund të transformohen në instrumente strategjike për përmirësimin e performancës.

Në kuadër të Planit të Punës të PAMECA V dhe në veçanti të Veprimtarisë  1.2.64 Seminar mbi ‘Administrimin e Prokurorive dhe statistikat si një mjet strategjik për përmirësimin e performancës’, që ofron mbështetje për përmirësimin e mëtejshëm të kapaciteteve të përfituesve për të përmirësuar performancën institucionale, PAMECA V në bashkëpunim të ngushtë me Projektin italian HJC-AICS, EURALIUS V, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shkollën e Magjistraturës,  organizoi një trajnim pilot mbi këtë temë.

Veprimtaria u zhvillua në dy ditë të njëpasnjëshme për dy raunde, nga data 15 deri në 18 qershor, me pjesëmarrjen e Drejtuesve të Prokurorive pranë gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe Drejtuesve të Prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm si edhe Kancelarëve të këtyre zyrave, përgjegjës për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore.

Prokurori i Përgjithshëm Z Olsian Çela, në fjalën e tij të hapjes, vuri në dukje se të dhënat statistikore transparente, të përditësuara dhe të sakta janë thelbësore për hartimin e politikave kundër kriminalitetit dhe për përmirësimin e cilësisë dhe aksesit tek informacioni i përdorur për vendimmarrje.

Z Carlo D’Achille, Drejtuesi i PAMECA V theksoi rëndësinë e një menaxhimi më të mirë të burimeve njerëzore nëpërmjet përdorimit të statistikave, si një mjet për përmirësimin e efikasitetit të prokurorive, me qëllim për të kuptuar më mirë fushat ku është e nevojshme të ndërhyhet si edhe ku duhet të përqendrohen forcat për të përmirësuar punën e zyrës.

Profesorët italianë, prokurorët dhe ekspertët e fushës, prezantuan standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të BE-së për matjen e performancës së Prokurorive.  Gjatë trajnimit, u prezantua shembulli italian për organizimin e një zyre prokurorie, me qëllim arritjen e efikasitetit dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor. Prokurorët shqiptarë përshkruan procesin e përmbledhjes dhe raportimit të statistikave në praktikë, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për t’i transformuar statistikat në një dokument strategjik për përmirësimin e performancës së zyrës.

Trajnimi pilot u hartua si një ndërthurje e qasjes teorike dhe ushtrimeve praktike me qëllim vlerësimin e punës së Prokurorisë nëpërmjet statistikave.

 

June 17, 2021 / @sq