Çfarë është PAMECA – Historia e ndihmës policore të BE-së në Shqipëri

Projektet PAMECA filluan në vitin 2002 dhe e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në kuadër të ndihmës që BE i ka dhënë Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë së rendit publik.

PAMECA I ishte një projekt që u zbatua në kuadrin e programit PHARE. Kohëzgjatja e projektit ishte dhjetor 2002- dhjetor 2004. Objektivi i PAMECA I ishte ofrimi i asistencës PSh në kuadrin e procesit të Stabilizim-Asociimit dhe përputhja e saj me standartet e BE-së.

PAMECA II ishte një projekt që u zbatua në kuadrin e programit CARDS. Kohëzgjatja e projektit ishte dhjetor 2004- dhjetor 2007 me një fond prej 6,542,980 euro. Objektivat e PAMECA II ishin: i) Përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe operacionale të PSH në luftën kundër krimit dhe në sigurimin e rendit publik; ii) Forcimi i bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë-gjyqësorit; iii) Ndihmesë policisë në përpjekjet e saj për të rritur besimin e publikut.

PAMECA III ishte një projekt që u zbatua në kuadrin e programit IPA. PAMECA III u zbatua nga në periudhën maj 2008 – maj 2011 dhe pati një periudhë zgjatjeje nga maji 2011 deri në maj 2012. Fondi fillestar ishte 5,518,790 euro dhe së bashku me fondin shtesë për periudhën e zgjatjes së projektit, fondi shkoi ne 6,8 milionë euro. Qëllimi dhe objektivi i përgjithshëm i projektit ishte përmirësimi i punës së strukturave të Policisë së Shtetit Shqiptar për të siguruar në këtë mënyrë besimin, sigurinë dhe një mjedis të sigurtë për qytetarët shqiptarë nëpërmjet standardeve të BE-së dhe asistencës teknike të nxjerra nga shtetet anëtare të BE-së.

PAMECA IV – Konsolidimi i kapaciteteve ligjzbatuese në  Shqipëri ka nisur në qershor 2013 dhe përfundon në mars 2017. Është një projekt i fiancuar me fondet IPA me një vlerë prej 4 milionë euro. (Projekti eshte shtyre nga tetor 2016 deri ne mars 2017)

PAMECA V – “Konsolidimi i Agjencive Ligjzbatuese” – Mbështetje për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë” – ka filluar me datë 20 prill 2017 dhe do të zgjasë 40 muaj. Ky projekt është financuar nga Komisioni Europian me fondet IPA 2015 me një buxhet total prej 6 milionë euro. Objektivi kryesor i projektit PAMECA V është përmirësimi i kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Policisë së Shtetit (PSH), Prokurorisë dhe strukturave të tyre mbështetëse në përmbushjen e objektivave të tyre për plotësimin e nevojave të komunitetit lidhur me sigurinë publike si dhe sfidat e menaxhimit të kufirit.

Shuma totali e fondeve të akorduara nga Komisioni Europian për projektet PAMECA ndër vite është 23 milionë euro.