Përgjigje efektive ndaj Emigrimit të të Miturve të Pashoqëruar nga Shqipëria drejt Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian

IMG_0990-1

Përgjigje efektive ndaj Emigrimit të të Miturve të Pashoqëruar nga Shqipëria drejt Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian

Në 15 Tetor PAMECA IV organizoi, së bashku me IOM dhe nën drejtimin e Presidencës Italiane të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mirëqenies dhe Rinisë, një seminar I cili synonte të krijonte dialog midis autoriteteve shqiptare, Shteteve Anëtare të BE-së dhe aktorëve të tjerë për mundësinë e gjetjes së masave efektive për t’u përgjigjur fenomenit të të miturve të pashoqëruar.

Pjesëmarrësit ishin nga ambasada të ndryshme të BE-së, organizata ndërkombëtare (UNHCR, UNODC, OSCE) dhe shoqëria civile

Pas prezantimeve hyrëse dhe mirëseardhjes, ku u shpreh angazhimi individëve për të përmirësuar situatën dhe nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse, seminari vijoi me një informacion të përgjithshëm për emigracionin e të miturve të pashoqëruar drejt Bashkimit Evropian si dhe qasjen që kishte zgjedhur BE-ja.

Prezantimi i kësaj situate vazhdoi me prezantimet e dy situatave nga dy Shtete Anëtare të BE-së, përkatësisht Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe me studimet e kryera për këtë çështje në Greqi dhe Itali.

Në përfundim të prezantimeve IOM, Shërbimi Social Shtetëror dhe Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit prezantoi kuadrin ligjor dhe institucional dhe masat e marra deri tani për emigracionin e të miturve të pashoqëruar.

Në pjesën e dytë pati diskutime sesi të përmirësohet dhe rregullohet më tej qasja që është marrë deri tani. Pas shumë kontributeve, u arrit në përfundimin se ka nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse dhe duheshin marrë masa në fushën e identifikimit, parandalimit, pritjes dhe mbrojtjes. Ka nevojë urgjente që të kontaktohet në nivel ndërkombëtar me vendet e tranzitit dhe të destinacionit, të përmirësohet dhe zyrtarizohet shkëmbimi informacionit në të gjitha nivelet dhe të punohet në kuadrin institucional dhe për rritjen e ndërgjegjësimit.
Përfundimet e seminarit do të formalizohen me shkrim dhe do t’I shpërndahen të gjithë pjesëmarrësve për komente dhe do t’I çohen autoriteteve përgjegjëse për të zhvilluar përgjigje efiçente dhe afatgjata.

 

Foto te tjera …

Tetor 16, 2014 / @sq