PAMECA V trajnon pjesëmarrësit e Kursit të Formimit Bazë të Policisë së Kufirit dhe Migracionit

ibm2-01-18

PAMECA V trajnon pjesëmarrësit e Kursit të Formimit Bazë të Policisë së Kufirit dhe Migracionit

Eksperti Afat-gjatë i PAMECA V për Menaxhimin e Integruar të Kufijve lëvroi dy seanca trajnimi për pjesëmarrësit e Kursit të Formimit Bazë të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, i cili po zhvillohet në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Secili sesion ishte konceptuar në formën e një leksioni një-ditor të zhvilluar përkatësisht në datat 23 dhe 30 janar. Bazuar në materialet e trajnimit të përgatitura nga PAMECA V, leksioni i parë u përqendrua te zhvillimet kryesore në historinë e Bashkimit Evropian, te Institucionet e BE-së, procesi i vendimmarrjes në BE, agjencitë kryesore të BE-së, politikat e BE-së për kufirin dhe organizatat ndërkombëtare të përfshira në çështjet e kufirit dhe migracionit. Ndërkohë që, leksioni i dytë, u përqendrua te koncepti i BE-së për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (MIK) dhe te legjislacioni Schengen.

Kursi i Formimit Bazë filloi më datë 22 janar dhe do të zgjasë tre muaj. 25 oficerë policie marrin pjesë në këtë kurs, shumica e të cilëve janë emëruar aktualisht në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit. Pjesa tjetër shërben në Policinë e Rendit, por do të emërohet më pas në strukturat përgjegjëse për kufirin dhe migracionin.

Kurrikula e këtij kursi bazohet praktikisht në Kurrikulën e Përbashkët Bazë (KPB) të FRONTEX-it. Për sa i përket procesit të hartimit të kurrikulës, PAMECA V luajti një rol thelbësor në harmonizimin, konsolidimin dhe njehsimin e programit të kurrikulës me KPB-në e FRONTEX-it. Programi është i ndarë në pesë module. PAMECA V ligjëron për Modulin I #1 “Historia dhe zhvillimi i Policisë Kufitare” dhe për Modulin II #8 “Legjislacioni i BE-së i zbatueshëm për standardet e Policisë së Kufirit dhe Migracionit”.

Dy kurse të tjera me të njëjtën kohëzgjatje janë planifikuar të fillojnë respektivisht në shkurt dhe mars 2018. Eksperti Afat-gjatë i PAMECA V për Menaxhimin e Integruar të Kufijve do të lëvrojë të njëjtat seanca trajnimi gjatë të gjitha kurseve të ardhshme të formimit bazë.

me shume foto …

 

 

Shkurt 1, 2018 / @sq