Seminar mbi ndryshimet e reja të ligjit Anti-Mafia

101049

Seminar mbi ndryshimet e reja të ligjit Anti-Mafia

Në 20 nëntor 2017, PAMECA V në kuadër të Komponentit 1 Veprimtaria 1.6 “Mbështetje për zbatimin e legjislacionit të ri për Reformën në Drejtësi” organizoi në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës Seminarin mbi ndryshimet e reja të ligjit Anti-Mafia. 

Ky Seminar solli së bashku një audiencë prej 46 gjyqtarësh dhe prokurorësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Gjykatat e Prokuroritë e rretheve gjyqësore. Seminari shërbeu për prezantimin e ndryshimeve të reja të Ligjit Anti-Mafia tek gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë, me qëllim që ato të kuptoheshin më mirë e rrjedhimisht edhe të zbatohen më mirë në praktikë.

Drejtuesi i Projektit PAMECA V, Z. Carlo D’Achille, në fjalën e tij të hapjes, theksoi faktin që miratimi i këtij ligji konfirmon angazhimin serioz të Shqipërisë në luftën kundër aktiviteteve të rrezikshme kriminale. Për më tepër, ai nënvizoi faktin që duke marrë parasysh rëndësinë e këtij ligji, do të zhvillohen seminare të tjera, me qëllim që ndryshimet e fundit të ligjit Anti-Mafia të kuptohen në mënyrë të qartë.

Ky aktivitet u moderua nga Z. Carmine Pirozzoli, Zëvendës Drejtues i Projektit PAMECA V. Zoti Pirozzoli që është njëkohësisht Prokuror dhe Ekspert Afat Gjatë i PAMECA V, kontribuoi në diskutimet profesionale duke dhënë shpjegime mbi pyetjet e ngritura nga gjyqtarët dhe prokurorët mbi ligjin Anti-Mafia.

Diskutimet u përqendruan në: zbatimin e rregullave të Kodit të Procedurës Penale për verifikimin, hetimin dhe gjykimet mbi pasuritë, në vend të rregullave të Kodit të Procedurës Civile që zbatoheshin më parë, zgjerimin e objektit, qëllimit dhe fushës së zbatimit të ligjit, kufizimin e rrethit të ngushtë të personave të afërt për të cilët gjen zbatim ligji, barrën për të provuar se asetet janë fituar nga veprimtari të ligjshme.

Z. Henrik Ligori, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Z. Gurali Brahimllari, gjyqtar në Gjykatën e Krimeve të Rënda prezantuan përkatësisht ndryshimet e ligjit Anti-Mafia në kuadër të Reformës në Drejtësi si edhe përvojën në zbatimin e ligjit të ri sipas këndvështrimit të prokurorisë dhe të gjykatës.

Z. Antonio Balsamo, Prokuror në Gjykatën e Lartë, Romë, prezantoi përvojën italiane për zbatimin e ligjit Anti-Mafia.

Seminari u mbyll me fjalën e Kreut të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe të Z. Sokol Sadushi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës.

Znj. Vlahutin vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti dhe rëndësinë e ligjit Anti-Mafia, si dhe vuri theksin në punën e përditshme dhe përmbushjen e dytyrës nga gjyqtarët dhe prokurorët. Ajo nënvizoi faktin që Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Shteteve Anëtare të BE-së në këtë proces thelbësor që po kalon vendi. Miratimi i reformës në drejtësi është shenjë pozitive e progresit të bërë nga Shqipëria, por zbatimi i kësaj reforme do të shërbejë si një moment historik për vendin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian vurin theksin në sfidën e vërtetë me të cilën po përballet Shqipëria, rritja e besimit të publikut në institucionet ligjzbatuese dhe në veçanti në institucionet e drejtësisë.

Z. Sadushi vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me projektin PAMECA V dhe siguroi që iniciativa të tilla janë të mirëpritura nga Shkolla e Magjistraturës. Ai mbështet idenë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen me projektin PAMECA V, në kuadër të iniciativave të ngjashme të cilat i përgjigjen në mënyrën dhe kohën e duhur nevojave dhe prioriteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

 

me shume foto …

 

 

Nëntor 22, 2017 / @sq