Ceremonia e dorëzimit të Planit të Integritetit të Policisë së Shtetit

7

Ceremonia e dorëzimit të Planit të Integritetit të Policisë së Shtetit

Ceremonia e dorëzimit të 300 kopjeve të Planit të Integritetit të Policisë së Shtetit dhe Planit të Veprimit 2020 – 2021 u organizua sot në ambjentet e Policisë së Shtetit. Gjatë një viti, PAMECA V dhe Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF) kanë punuar ngushtë me përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit Shqiptar për të përgatitur këtë dokument, që do të jetë i dobishëm për punonjësit e policisë për të rritur ndërgjegjësimin mbi çështje që lidhen me integritetin.

Gjatë fjalës të hapjes, Drejtuesi i Projektit PAMECA V, Z. Carlo D’Achille vuri në dukje rëndësinë e këtij dokumenti që do të shërbejë gjithashtu si udhëzues në punën e përditshme të strukturave të policisë të përfshira në çështje që lidhura me integritetin. Ky botim do të ndihmojë punonjësit e policisë për të identifikuar kërcënimet ndaj organizatës dhe për të krijuar mekanizma që trajtojnë rreziqet në punën e tyre të përditshme.

Publikimi i Planit të Integritetit të PSH-së u vlerësua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Ardi Veliu, i cili theksoi se ky dokument përbën një hap të rëndësishëm për këshillimin dhe udhëzimin e punonjësve të policisë për një luftë pa kompromise kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë. Ky botim është një tregues i përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë së Shtetit për të rritur besimin e publikut në Organizatën e Policisë.

Ceremonia u ndoq nga Zëvendës Ministri i Brendshëm, Z. Julian Hodaj, që cilësoi faktin se ky dokument sjell rezultate të prekshme në policimin e përditshëm dhe synon fuqimisht të përmirësojë shërbimet e policisë për qytetarët shqiptarë. Plani i Integritetit rrit transparencën dhe vërtetësine e fushave të ndryshme që janë më së shumti të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe përqendrohet në zgjidhje efikase.

Në fund të ceremonisë, Z. D’Achille vuri në dukje angazhimin e mëtejshëm të Projektit PAMECA V për të ndihmuar strukturat e nivelit qendror dhe vendor të policisë në zbatimin e Planit të Integritetit të Policisë së Shtetit dhe Planit të Veprimit 2020 – 2021.

më shumë foto …..

 

Mars 25, 2021 / I pakategorizuar