Seminar online mbi sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive sipas ligjit anti-mafia

Seminar online mbi sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive sipas ligjit anti-mafia

Me qëllim mbështetjen e zbatimit të mekanizmave ligjorë për të luftuar pasuritë e krimit të organizuar që rrjedhin nga burimet e paligjshme, PAMECA V në bashkëpunim të ngushtë me Projektin Italian HJC-AICS, EURALIUS V dhe Shkollën e Magjistraturës, organizuan një seminar online mbi sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive sipas ligjit anti-mafia. Ky seminar u ndoq nga 25 gjyqtarë dhe prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm dhe të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjatë trajnimit u trajtuan tema të ndryshme që kryesisht kishin të bënin me pavarësinë e hetimeve pasurore nga ato penale, mjetet hetimore që përdoren në hetimet anti-mafia, problemet që lindin nga ndarja e kompetencave, barra e provës për të provuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme etj. Përvoja italiane në zbatimin e ligjit anti-mafia dhe masat parandaluese u prezantuan nga dy ekspertët italianë, Z. Michele Del Prete – Prokuror në Drejtorinë Kombëtare Italiane kundër Mafias dhe Terrorizmit, i cili u përqendrua tek masat kundër pasurisë si një mjet për të luftuar krimin e organizuar, dhe z. Giovanni Conzo, Drejtues i Prokurorisë së Beneventos, i cili prezantoi modelet operacionale dhe strategjitë hetimore lidhur me hetimin pasuror dhe konfiskimin e pabazuar në dënim.

Një prej temave që zgjoi interesin e pjesëmarrësve kishte të bënte me problemet ligjore të përcaktimit të kushteve për zbatimin e masave parandaluese kundër pasurisë, prezantuar nga Z. Paskuale Profiti, Prokuror në Prokurorinë e Trentos.  Konventat ndërkombëtare mbi sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga korrupsioni dhe vepra të tjera penale, në këndvështrimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ishte një tjetër temë që tërhoqi interesin e pjesëmarrësve dhe u prezantua nga Eksperti i Shkollës së Magjistraturës.

Seminari u moderua nga Eksperti afatgjatë për Krimin e Organizuar, Z. Giovanni Pasqua dhe shërbeu për të shkëmbyer mendime dhe përvoja praktike mbi problemet e hasura gjatë zbatimit të Ligjit Anti-Mafia me fokus të veçantë tek standardet europiane, siç janë përcaktuar edhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

/ @sq