Trajnimi i parë për hartimin e Planit të Integritetit për Ministrinë e Brendshme

MoI IP 2

Trajnimi i parë për hartimin e Planit të Integritetit për Ministrinë e Brendshme

Masat anti-korrupsion përfshijnë veprime parandaluese të cilat i ulin shtysat dhe mundësitë për korrupsion dhe sjellje të tjera joetike mes punonjësve të agjencive ligj zbatuese. Duke mbajtur parasysh rëndësinë e sjelljeve etike dhe për sa i takon mbështetjes së Ministrisë së Brendshme për të rritur integritetin e organizatës,  PAMECA V dhe DCAF (Qendra e Gjenevës për Sektorin e Sigurisë dhe Qeverisjen)  janë duke mbështetur përgatitjen e Planit të Integritetit dhe Planin e Veprimit për vitin 2021.

Në këtë kuadër, u organizua për anëtarët e Grupit të Punës të përbërë nga përfaqësues të 11 strukturave të varësisë së Ministrisë së Brendshme, seminari i parë trajnues. Trajnimi u përqendrua në qasjen për menaxhimin e riskut, prezantimin e standardeve dhe praktikave më të mira. Fushat dhe sjelljet më të ekspozuara ndaj rrezikut u paraqitën nga z. Giuseppe Abbatino dhe z. Paulo Costa, Drejtues i Programit Policor, DCAF.  Akoma më tej, ekspertët dhe pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë vlerësimin e riskut që ishte përgatitur me kujdes nga çdo institucion me qëllim identifikimin e risqeve më të mëdha për çdo institucion, duke marrë parasysh veçoritë e secilës strukturë varësie.

Z. Giovanni Pasqua, Ekspert i PAMECA për Krimin e Organizuar, theksoi rëndësinë e sjelljes etike si një element thelbësor për të rritur integritetin në institucionet ligjzbatuese. Një plan integriteti dhe plani i veprimit synojnë të përmirësojnë standardet e integritetit nëpërmjet transparencës, përgjegjshmërisë dhe masave anti-korrupsion. Z. Pasqua theksoi mbështetjen e PAMECA V për Ministrinë e Brendshme, për përmbushjen e kësaj veprimtarie në përputhje me Strategjinë ndërsektoriale kundër korrupsionit dhe dokumente të tjerë strategjikë.

 

Qershor 9, 2021 / I pakategorizuar