Çfarë bën PAMECA V

PAMECA V është hartuar si një projekt i asistencës teknike të BE-së për të mbështetur dhe ndihmuar agjencitë kryesore për zbatimin e ligjit në Shqipëri, sidomos Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë në përmbushjen e objektivave për ta sjellë punën e tyre sa më afër standarteve të BE-së.

Përfituesit kryesorë të asistencës së ofruar nga PAMECA V, janë Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit Shqiptar, Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroritë e rretheve. Përfitues dytësorë të veprimtarive janë DPPPP, Autoritetet Doganore dhe Tatimore, ILDKPKI, Avokati i Popullit, Minsitria e Drejtësisë, etj. Qytetarët shqiptarë janë përfituesit përfundimtarë.

Qëllimi kryesor i Projektit PAMECA V është përmriësimi i mëtejshëm i kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Policisë së Shtetit (PSH), Prokurorisë dhe strukturave të tyre mbështetëse në përmbushjen e objektivave për një luftë proaktive kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, me qëllim plotësimin e nevojave të komunitetit për sigurinë publike dhe sfidat e menaxhimit të kufirit.

PAMECA V synon të përmirësojë më tej mekanizmat koordinues të MPB, PSH, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese në adresimin e sfidave në luftën kundër kriminalitetit, terrorizmit, korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit financiar.

Për përmbushjen e objektivave janë parashikuar aktivitete të ndryshme, duke filluar që nga mbështetja këshillimore teknike dhe strategjike, vlerësimet/analizat ligjore, identifikim dhe pëmbledhje të acquis të BE-së në një fushë të caktuar, si dhe duke vijuar me trajnime/seminare me fushë të gjerë mbulimi, ushtrime praktike simulimi në nivel qëndror dhe lokal, vizita studimore në institucionet e BE-së/shteteve anëtare, vizita në terren, etj.